Takimi Plenar i IFIAR

ifiar

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, anëtar i IFIAR – International Forum of Independent Audit Regulators (Forumi Ndërkombëtar i Rregullatorëve të Pavarur të Auditimit) që prej vitit 2011, mori pjesë në Takimin Vjetor Plenar të zhvilluar në datat 30 Prill – 2 Maj 2019 në Greqi, me përfaqësues z. Dritan Fino, Kryetar dhe z. Aldo Spahiu, Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

 

Themeluar në vitin 2006, Forumi Ndërkombëtar i Rregullatorëve të Pavarur të Auditimit (IFIAR) përbëhet nga rregullatorë të pavarur të auditimit nga 55 juridiksione që përfaqësojnë Afrikën, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Azinë, Oqeanin dhe Evropën.

 

Objektivi për të përmirësuar cilësinë e auditimit qëndron në thelbin e misionit të IFIAR. Strategjia e këtij forumi lidhet me ndikimin në mënyrë proaktive në çështjet e auditimit në mbarë botën dhe krijimin e dialogut ndërkombëtar mbi cilësinë e auditimit dhe mbikëqyrjen.

 

Gjithashtu, IFIAR është i vetmi forum për dialog të koordinuar dhe të qëndrueshëm me firmat më të mëdha të auditimit të rrjetit botëror, përcaktues të standardeve ndërkombëtare, komiteteve të auditimit, investitorëve institucionalë dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që kanë interes në cilësinë e auditimit.

 

Eventi filloi me një panel që trajtonte çështjet aktuale me të cilat përballet profesioni dhe rregullatorët e auditimit, duke ofruar një mundësi për anëtarët që të angazhoheshin në disa nga çështjet më të rëndësishme në botën e auditimit, se si firmat e Komitetit të Politikave Publike Botërore (GPPC) janë të strukturuara, apo se si ato konkurrojnë. Ky takim krijoi një kontekst të qartë për sfidat dhe mundësitë, duke bërë të qartë se mësimet e nxjerra nga eksperiencat e deritanishme janë me vlerë për të gjithë.

 

Udhëheqësit nga gjashtë rrjetet më të mëdha (BDO, Deloitte, EK, Grant Thornton, KPMG dhe PwC) u ftuan të angazhohen me anëtarët e IFIAR dhe të detajojnë përpjekjet aktuale të firmave për të përmirësuar cilësinë e auditimit në shkallë globale. Tematikat e diskutimeve përfshinin: kulturën e firmave (duke përfshirë diversitetin); sfidat në rekrutimin dhe mbajtjen e stafit; monitorimin dhe matjen e cilësisë së auditimit; nevojën që ekosistemi raportues të jetë efektiv në mënyrë që të ofrojë raportime dhe auditime të cilësisë së lartë.

 

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu me Kryetarin e IAASB dhe Kryetarin e IESBA, ku përmëndën aktivitetet e tyre aktuale dhe planet e punës. Të dy përfaqësuesit e Bordeve të vendosjes së standardeve theksuan produktivitetin e dialogut dhe konsultimet e marra nga IFIAR, të koordinuara nga Grupi i Punës i Koordinimit të Standardeve të IFIAR.