Bordi i Mbikëqyrjes Publike bëhet pjesë e BE!

Komiteti i Autoriteteve Evropiane të Mbikëqyrjes së Auditimit CEAOB në mbledhjen e 29-të Plenare të mbajtur në Bruksel, më 18-19 Nëntor 2025 i ka miratuar Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) të drejtën të jetë #Anëtar #Vëzhgues në mbledhjet Plenare.

Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e mbikëqyrjes së auditimit në vend dhe vlerësimin e progresit tonë institucional, profesionalizmit dhe pavarësisë.

Çfarë do të thotë ky status për Shqipërinë?
• Përfaqësim në mbledhjet plenare të CEAOB – forumin më të rëndësishëm të autoriteteve mbikëqyrëse të auditimit në BE.
• Qasje në praktikat më të mira evropiane dhe diskutimet teknike që drejtojnë reformën e mbikëqyrjes.
• Mundësi për të forcuar proceset tona, për t’u harmonizuar më tej me standardet e BE dhe për të kontribuar më aktivisht në ekosistemin evropian të raportimit financiar.

Një vlerësim për punën e bërë
Miratimi i Shqipërisë erdhi pas një procesi të detajuar vlerësimi, ku u konsideruan pavarësia e BMP, qasja jonë rregullatore, rezultatet në kontrollet e sigurimit të cilësisë dhe investigimit dhe masave disiplinore, si edhe niveli itransparencës dhe mbrojtjes së interesit publik.

Kjo arritje është rezultat i:
• Reformave të ndërmarra në ligjin e auditimit dhe aktet nënligjore;
• Forcimit të sistemit të sigurimit të cilësisë;
• Përmirësimit të kuadrit të investigimit dhe sanksionimit;
• Bashkëpunimit të shkëlqyer me partnerët tanë evropianëdhe ndërkombëtarë.

Duke parë drejt së ardhmes
Kjo është një arritje e rëndësishme për rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimit në BE dhe për ndërtimin e urave edhe më të forta të bashkëpunimit. Përmes forcimit të besimit në auditim dhe raportim financiar në Shqipëri, ne po çojmë më tej procesin e konvergjencës me standardet evropiane të mbikëqyrjes.

Faleminderit të gjithë kolegëve, partnerëve dhe institucioneve që na mbështetën në këtë proces. Së bashku po ndërtojmë një sistem mbikëqyrjeje më të fortë, më transparent dhe plotësisht në shërbim të interesit publik.