Takimi Plenar i IFIAR, Paris 2026

Bordi i Mbikëqyrjes Publike mori pjesë në Takimin Plenar të IFIAR, e zhvilluar në datat 20 – 23 Prill 2026 në Paris, duke shënuar 20-vjetorin e themelimit të këtij forumi ndërkombëtar në vitin 2006.

IFIAR përfaqëson sot 56 anëtarë nga e gjithë bota dhe ka si mision mbrojtjen e interesit publik, përfshirë investitorët, përmes forcimit të mbikëqyrjes së auditimit në nivel global dhe nxitjes së cilësisë së qëndrueshme të auditimit. 

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Bordit të Mbikëqyrjes Publike morën pjesë në diskutime me rregullatorë homologë, organizata ndërkombëtare dhe aktorë të tregut mbi zhvillimet më të fundit që ndikojnë profesionin e auditimit ligjor dhe mbikëqyrjen publike. Në fokus të sesioneve ishin tema të rëndësishme si inteligjenca artificiale, teknologjia, format alternative të investimit në firmat e auditimit, si dhe zhvillimet në fushën e sigurimit të raportimit të qëndrueshmërisë.

Pjesëmarrja e Bordit të Mbikëqyrjes Publike në këtë forum të nivelit të lartë përforcon angazhimin institucional për përafrimin me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes publike, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me autoritetet homologe ndërkombëtare.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike vlerëson rëndësinë e IFIAR si platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperience, në funksion të forcimit të integritetit, transparencës dhe besimit në tregun e auditimit. 

Falënderojmë H2A – Autoritetin e Lartë të Auditimit, Francë për organizimin e suksesshëm të Plenares së këtij viti.