10 Qershor 2025 – Kryetari dhe Drejtori Ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) morën pjesë në workshop-in “Teknologjia Digjitale dhe Etika në fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, organizuar nga Departamenti i Kontabilitetit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në kuadër të projektit “Jean Monnet”, në bashkëpunim me Bashkimin Europian.
Kryetari i BMP-së, Z. Dritan Fino, theksoi rëndësinë e rolit të universitetit si hallkë kyçe në përgatitjen akademike të profesionistëve kontabël, ndikimin pozitiv të digjitalizimit në cilësinë e auditimit dhe raportimit financiar, si dhe domosdoshmërinë e ushtrimit të gjykimit profesional dhe etikës në përdorimin e teknologjive të reja.
Digjitalizimi po transformon praktikën e auditimit duke rritur kërkesën për skepticizëm dhe gjykim profesional, përgatitje teknike adekuate dhe një qasje etike në përdorimin e teknologjisë.
BMP mbetet i angazhuar në nxitjen e praktikave më të përparuara në këtë drejtim, duke kontribuar në zhvillimin e standardeve profesionale dhe etike në Shqipëri.