Takimi Plenar i IFIAR, Berlin 2025

Takimi Plenar i IFIAR, Berlin 2025

Bordi i Mbikëqyrjes Publike mori pjesë në Takimin Plenar të IFIAR 2025, mbajtur në Berlin më 8-10 Prill, i organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Audituesve (AOB) i Gjermanisë, së bashku me përfaqësues nga 49 autoritete të pavarura të mbikëqyrjes së auditimit nga mbarë bota.

Takimi Plenar shërben si një platformë unike për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për diskutimin midis anëtarëve, vëzhguesve të IFIAR dhe përfaqësuesve të tjerë të aktorëve kryesorë e zhvillimeve të rëndësishme në tregun e auditimit dhe rolin gjithnjë në rritje të rregullatorëve në një mjedis në ndryshim të vazhdueshëm. Plenarja u hap, me një fjalim të veçantë të mbajtur nga gazetari i revistës ekonomike Financial Times z. Dan McCrum, i cili ndërlidhi punën e gazetarisë investigative, dështimet në raportimin financiar dhe qasjen dhe punën e bërë nga autoritetet rregullatore të auditimit. Takimi vijoi gjatë tre ditëve me trajtimin e temave të rëndësishme për tregun e auditimit dhe mbikëqyrësit rregullatorë, përfshirë:

✅ Qasjet rregullatore ndaj firmave të vogla të auditimit;

✅ Dhënia e sigurisë mbi raportimin e qëndrueshmërisë dhe forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse;

✅ Qasjet për përdorimin e inteligjencës artificiale në aktivitetet rregullatore për të ndjekur zhvillimet teknologjike që prekin tregun e auditimit;

✅ Hartimi dhe zbatimi i standardeve profesionale në një mjedis kompleks;

✅ Rritja e komunikimit midis audituesve, investitorëve dhe palëve të interesuara.

Mirënjohje për International Forum of Independent Audit Regulators (IFIAR) dhe një falënderim i veçantë për kryetarin në largim të IFIAR, z. Takashi Nagaoka, dhe stafin e sekretariatit të IFIAR, për krijimin e kësaj platforme bashkëpunimi dhe për përkushtimin në përmbushjen e misionit tonë të përbashkët: ti shërbejmë interesit publik përmes forcimit të mbikëqyrjes globale të auditimit.

Falënderojmë Autoritetin e Mbikëqyrjes së Audituesve (AOB) i Gjermanisë për organizimin e suksesshëm të Plenares së këtij viti.

BMP mbetet i angazhuar për forcimin e mbikëqyrjes së auditimit në Shqipëri, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave që synojnë rritjen e cilësisë dhe transparencës në profesionin e auditimit.