Në datën 18 mars 2025, u zhvillua në Vjenë Konferenca Ministrore me temë “Reformat për raportimin financiar dhe raportimin e qëndrueshmërisë: Orientimi mes agjendës së gjelbër dhe digjitale”.
Kjo konferencë e organizua nga Qendra e Bankës Botërore (BB) për Reformën e Raportimit Financiar dhe Qëndrueshmërisë (#CFRR), kishte si objektiv kryesor mobilizimin e mbështetjes politike për reformat në fushën e raportimit financiar dhe të qëndrueshmërisë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rajonale.
Pjesëmarrës ishin mbi 250 delegatë, përfshirë ministra financash, ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe BB, si dhe pjesëmarrës nga sektori publik, privat dhe akademik.
Z. Dritan Fino, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe Drejtor i Përgjithshëm për Menaxhimin e Fondeve të Bashkimit Evropian në Ministrinë e Financave, theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm për të përafruar legjislacionin kombëtar me atë të BE në lidhje me raportimin e qëndrueshmërisë.
Z.Fino përmendi ndryshimin e ligjit të Auditimit, ku tani kërkohet auditimi i detyrueshëm për raportimin jofinanciar si dhe dhënia e sigurisë për raportet e qëndrueshmërisë për entitete të caktuara.
“Po punojmë ngushtë me Bankën Botërore për hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi për Raportimin e Qëndrueshmërisë, i cili do të adresojë aspekte rregullatore, edukimin dhe trajnimin e biznesit, monitorimin dhe zbatimin e këtyre rregullave, si dhe bashkëpunimin me organizatat e industrisë për të zhvilluar e promovuar raportimin e qëndrueshmërisë”.
Gjithashtu, në sektorin publik, Shqipëria po integron raportimin e qëndrueshmërisë në strategjitë kombëtare dhe financave publike, në përputhje me objektivat ndërkombëtare, duke marrë shembull nga praktikat më të mira evropiane. Në të njëjtën kohë, po reformohet dhe kuadri i raportimit financiar dhe jofinanciar në sektorin publik, duke synuar zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në lidhje me thjeshtimin e raportimit të qëndrueshmërisë sipas kërkesave të reja të BE-së, z. Fino theksoi rëndësinë e ofrimit të udhëzimeve të qarta dhe të thjeshtuara sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të), përcaktimin e udhëzimeve specifike sektoriale, digjitalizimin e proceseve të raportimit dhe adoptimin e një qasjeje graduale për implementimin e këtyre standardeve të reja.
Në mbyllje të konferencës, pjesëmarrësit nënvizuan se përkundër sfidave, raportimi i qëndrueshmërisë mbetet një instrument thelbësor për transparencë, llogaridhënie dhe përmirësim të qëndrueshmërisë afatgjatë ekonomike dhe sociale, ndërkohë që vendi ynë u përgëzua për progresin dhe angazhimet e ndërmarra në lidhje me këtë fushë gjatë fjalimit përmbyllës të z. Arturo Herrera Gutierrez, Drejtor pranë Departamentit Global të Institucioneve të Bankës Botërore.