Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit në Shqipëri!

raportimi_ne_shqiperi

“Sfidat dhe arritjet e mbikëqyrjes publike në përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe raportimit financiar” ishte tema e trajtuar në datën 19 Nëntor 2024 në Tiranë në prani të drejtuesve të lartë të Ministrisë së Financave, Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe Bankës Botërore.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të organizatave profesionale, ekspertë vendas dhe të huaj.

Konferenca, e cila u organizua nga BMP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, dhe me mbështetjen e BB, zhvillohej në kuadër të Projektit “Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit në Shqipëri”, i financuar nga zviceranët e SECO dhe Bashkimi Europian.

Eventi, i cili përkonte me 15-vjetorin e krijimit të BMP, trajtoi zhvillimet kryesore të Projektit, duke patur në fokus ndikimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sigurimit të cilësisë, me qëllim: Sigurimin që auditimet ligjore të kryhen në një mjedis të kontrolluar, transparent dhe të kujdesshëm që i shërben interesit publik.

Kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, z. Dritan Fino e konsideroi konferencën si një mundësi që inkurajon aktorët të bashkëpunojnë për të identifikuar zgjidhjet praktike.

Në fund të diskutimeve, z. Fino deklaroi se “Çështjet e trajtuara nga ekspertët e fushës nxitën nevojën për tu përmirësuar me tej me standardet dhe njohuritë, me qëllim rritjen e cilësisë së auditimit dhe krijimin e një besimi më të fortë nga ana e publikut”.

Konferencën e përshëndeti si i ftuar special z. Alam Asad, Drejtor Rajonal për Europën dhe Azinë Qendrore, Barazinë në Rritje, Financat dhe Institucionet pranë Bankës Botërore.